Universiteti Bujqësor i Tiranës siguron infrastrukturë moderne dixhitale dhe metodologji bashkëkohore për mësimdhënie (e- Learning), kërkim shkencor dhe trajnime në fushën e Zooteknisë.
Në kuadër të projektit Erasmus+ „Studimet universitare Duale në zootekni, agrobiznes dhe siguri e produkteve blegtorale“, Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) ka krijuar një infrastrukturë moderne dixhitale dhe po aplikon metodologji bashkëkohore për mësimin online (e-Learning) në Departamentin e Shkencave Zooteknike. Dy auditore të paisura me computera dhe modulet Hybrid kanë krijuar mundësi që studentët të ndjekin leksione dhe mësime të tjera edhe nga profesorë të huaj, jo vetëm të universiteteve partnere në këtë projekt (Universiteti Nürtingen -Gjermani, Universiteti Savonia – Finlandë), por edhe të universiteteve të tjera të Europës dhe më gjërë. Tre auditorë të pajisur me computera do të përdoren për ushtrime dhe seminare me studentët e këtij departamenti dhe të fakulteteve e departamenteve të tjera të UBT. Kjo infrastrukurë moderne do të përdoret gjërësisht edhe për kurset e trajnimit që do të afroj UBT, përkatësisht ky department, për specialistët e zooteknisë që punojnë në Shërbimin Këshillimor për blegtorinë si dhe ata që drejtojnë fermat blegtorale në vendin tonë.
Aplikimi i e-Learning në mësimdhënie dhe në kurset e trajnimit mbështetet në metodat më të përparuar didaktike që zbatojnë universitetet e huaja, sidomos ato partnere të këtij projekti, Universiteti Savonia në Finlandë dhe Universiteti Nürtingen Geislingen në Gjermani. Profesorë të universiteteve partnere po trajnojnë edhe pedagogët e UBT edhe për aplikimin e metodave bashkëkohore didaktike në mësimin në distancë, sidomos e-Learning. Module të zhvilluara të universiteteve partnere për studentët e cikleve Bachelor dhe Master po përshtaten nga Departamenti i Shkencave Zooteknike të UBT dhe do t’u afrohen studentëve që ndjekin programet Bachelor dhe Master në fushën e Zooteknisë si dhe do të përfishen në kurset e trajnimit të specialistëve të sektorit të blegtorisë dhe drejtuesve të fermave blegtorale në vendin tonë.