Universiti "Isa Boletini" i Mitrovices, organizoi konferencen e dyte nderkombetare ne kuader te projektit DualAFS
Konferenca në kuadër të “Punëtorisësë 2-të Ndërkombëtare”, Kurrikulat e dyfishta – Projekti Studimi dhe Praktika e Punës në Bujqësi dhe Siguria Ushqimore, u mbajt më 3 mars 2022, në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Pjesëmarrës në këtë projekt, përveç atyre nga Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore në UIBM, janë edhe përfaqësues të universiteteve partnere në këtë projekt: Universiteti “Nuertingen-Geiingen” nga Gjermania, i cili është partner lider; Universiteti “Savonia” nga Finlanda; Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës, nga Shqipëria, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në hapje të punëtorisë, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Kërkim Shkencor, Prof. Dr. Behxhet Shala, u uroi suksese pjesëmarrësve të punëtorisë. Ai tha se UIBM po zhvillon politika dhe mekanizma për të avancuar mësimdhënien dhe kërkimin shkencor, duke përfshirë nxitjen e bashkëpunimit me partnerë të ndryshëm vendas dhe ndërkombëtarë.
Sipas tij, përpjekja shtron nevojën për përshtatjen e kurrikulave që të jenë sa më produktive dhe të zbatueshme. “Ky projekt është një nga ato thelbësore në arritjen e këtij objektivi, në këtë rast, në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore”, tha ai.
Në konferencë u prezantuan rezultatet e një ankete të realizuar në Kosovë dhe Shqipëri me biznese ushqimore, fermerë, studentë, staf akademik dhe institucione publike. Gjatë konferencës u diskutua për rëndësinë e bizneseve si partnerë të universiteteve për mësimin praktik dhe trajnimin e studentëve. Në konferencë u diskutua edhe për qendrat e të mësuarit gjatë gjithë jetës që do të krijohen brenda universiteteve.
Më 2 Mars 2022, punëtoria vazhdoi punimet rreth kurrikulave të orientuara nga praktika në universitetet partnere nga Shqipëria dhe Kosova. Kurrikula të dyfishta janë zhvilluar në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Universitetin “Fan Noli” Korçë, ndërsa Universiteti “Isa Boletini” Mitrovicë dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë avancuar pjesën praktike të kurrikulave aktuale.
Në ditën e tretë dhe të fundit të “2nd International Workshop” në kuadër të projektit DualAFS, që u mbajt në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, pjesëmarrësit vizituan verarinë “Stone Castle” në Rahovec. Në këtë vizitë studimore u vizituan laboratori, procesi i filtrimit dhe linja teknologjike e mbushjes dhe paketimit të verës. Për historikun, procesin e prodhimit, eksportin dhe investimet që janë bërë në kompani, pjesëmarrësit i njoftoi inxhinieri, Fejzullah Berisha.
Ndryshe, projekti “DualAFS” synon zhvillimin e njohurive të studentëve dhe punësimin e të diplomuarve, po ashtu përmirësimin e konkurrencës në shkencat e bujqësisë dhe blegtorisë, përpunimit të ushqimit dhe përmirësimin e konkurrencës së bizneseve dhe përfituesve të tjerë në bujqësi e blegtori dhe cilësinë e sigurinë e produkteve ushqimore me prejardhje shtazore.